Thithja e ajrit të ndotur çon në rritje të vdekshmërisë, ulje të gjatësinë dhe rrit shkallën e prekjes nga sëmundjet kronike. Në të njëjtën kohë, shpenzimet e kujdesit shëndetësor të paguara nga qytetarët e Ballkanit Perëndimor janë në rritje. Ndotja e ajrit shkakton gjithashtu një numër në rritje të ditëve të punës të humbura, së bashku me numrin e ditëve në spital. Reduktimi i ndotjes së ajrit është një masë e shëndetit publik e cila do të ndihmonte drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe shëndetit të qytetarëve dhe në menyrë indirekte edhe në nivele më të ulëta të vdekshmërisë.
Cilësia e dobët e ajrit në Ballkanin Perëndimor e vendos rajonin në krye të zonave më të ndotura të Europës dhe ul performancën e shëndetit publik. Vendet e rajonit janë më të rrezikuara sepse ndotja e ajrit e kombinuar me një nivel më të ulët të zhvillimit ekonomik, varfërisë dhe sistemeve të kujdesit shëndetsor nën nivelin mesatar, i shtohen së gjithës duke krijuar një situatë më vdekjeprurëse.
Disa nga burimet kryesore të ndotjes së ajrit në Ballkanin Perëndimor përfshijnë përdorimin e qymyrit për prodhimin e energjisë, djegien e qymyrit dhe drurit për ngrohje në palate dhe objekte tregtare, emetimet e industrisë, djegien e mbeturinave, veprimtaritë bujqësore dhe të ndërtimit, automjetet e transportit dhe gjeneratorët me naftë. Këto burime janë vendet kryesore të origjinës për grimcat e ngurta (PM2.5 dhe PM10), ozoni, oksidet e azotit, dioksidi i squfurit, dioksidi i karbonit dhe metalet e rënda, të cilat janë përgjegjëse në nivel global për miliona vdekje të parakohshme çdo vit. Efektet e dëmshme të ajrit të ndotur shkaktojnë rritjen e shkallës së vdekshmërisë nga goditja në tru, sëmundjet e zemrës, sëmundjet kronike të mushkërive, kanceri i mushkërive dhe infeksionet akute respiratore.
Çmimi i ajrit të ndotur paguhet në jetë njerëzish
Sipas vlerësimeve të Agjencisë Evropiane të Mjedisit, ndotja e ajrit në vendet e Ballkanit Perëndimor ka çuar në një total prej 30,000 vdekjesh të parakohshme që i atribuohen ndotjes së tepërt të grimcave (PM2.5), ozonit (O3) dhe dioksidit të azotit (NO2).Qendra e Përbashkët Kërkimore e BE-së thekson se ndotja e ajrit, mesatarisht, kontribuon ndërmjet 4% dhe 19% të normave totale të vdekshmërisë së parakohshme dhe ul jetëgjatësinë me 0,4-1,3 vjet në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Është vlerësuar se ekspozimi ndaj grimcave të ngurta (PM2.5) është përgjegjës për 75 për qind të të gjitha vdekjeve që lidhen me ekspozimin ndaj ajrit të ndotur. Vlerat e emetimeve të lejuara të ndotësve të përcaktuara në udhëzimet për cilësinë e ajrit – në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Serbia janë më të larta se në shumicën e vendeve anëtare të BE-së.
Të dhënat nga raporti “Ndotja kronike e qymyrit” tregojnë se më shumë se gjysma e vdekjeve të parakohshme në 2016 të shkaktuara nga emetimet nga termocentralet e Ballkanit Perëndimor me qymyr ndodhin në BE: 2013 nga 3906 vdekje të parakohshme prekën popullsinë e BE-së, ndërsa 1239 vdekje në Ballkanin Perëndimor dhe 654 në vende të tjera. Në Ballkanin Perëndimor, Serbia vuan më së shumti ndikimet shëndetësore për shkak të ndotjes së qymyrit nga rajoni – 570 vdekje të parakohshme. Ndotja e ajrit ka një efekt më të madh në uljen e jetëgjatësisë së popullatës së moshuar dhe fëmijëve nën moshën pesë vjeç, gjë që ndodh veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta.
Personat me një status më të ulët socio-ekonomik shpesh janë më të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit pasi ata priren të jetojnë në zona me trafik të rënduar dhe afër burimeve të ndotjes, siç janë termocentralet dhe objektet industriale. Përveç kësaj, në shumicën e rasteve njerëzit e varfër bëjnë punë të rënda që nënkupton ekspozimin ndaj tymrave, grimcave të ngurta, gazrave dhe metaleve të rënda.
Së fundmi, çmimi i ndotjes së ajrit pasqyrohet tek kostot e kujdesit shëndetësor. Vleresohet se vetëm termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor shkaktojnë dëme ekonomike në formën e shpenzimeve për kujdesin shëndetësor që variojnë nga 1.2 në 3.4 miliardë euro çdo vit.
Si mund të kemi shëndet më të mirë dhe ajër më të pastër në Ballkanin Perëndimor?
Për të shpëtuar jetë njerëzore dhe për të ruajtur shëndetin publik, duhet të përmirësojmë sa më shpejt cilësinë e ajrit, si dhe gjendjen e shëndetit publik, duke avancuar sistemet e kujdesit shëndetësor.
Është e nevojshme të përcaktohet zvogëlimi i ndotjes së ajrit si një përparësi kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare dhe të integrohen proceset e planifikimit si në nivel lokal ashtu edhe në atë kombëtar. Sidoqoftë, më e rëndësishmja, këto masa nuk duhet të mbeten vetëm të shkruara në letër, por duhet të sigurohen burime të përshtatshme përvënien në zbatim të tyre. Prandaj, vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të rrisin buxhetet e tyre kombëtare dhe lokale për kontrollin e ndotjes së ajrit dhe të përcaktojnë përparësitë që synojnë të zvogëlojnë ndikimin e emetimeve të ndotësve në popullatë dhe mjedis.
Për të pasur një mbikëqyrje më efikase të ndotësve dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit, partneritetet multisektoriale duhet të vendosen në nivel lokal, kombëtar dhe rajonal. Parandalimi i sëmundjeve kronike të cilat vijnë si rezultat i cilësisë së dobët të ajrit duhet të bëhet pjesë integrale e përparësive të politikës mjedisore. Për më tepër, kjo duhet të shoqërohet me masa për të adresuar ndryshimet klimatike, të cilat gjithnjë e më shumë ndikojnë në thuajse të gjitha aspektet e jetës.
Ulja e numrit të vdekjeve, zgjatja e jetëgjatësisë dhe zvogëlimi i kostove të kujdesit shëndetësor për e ajrin e ndotur që thithim, kërkon gjithashtu veprimin e qytetarëve nga poshtë-lart. Pra, çështja e ndotjes së ajrit – një çështje që nuk njeh kufij midis shteteve të Ballkanit Perëndimor – mund të zgjidhet vetëm në një mënyrë solidare, në nivel rajonal.
Në mënyrë që bashkërisht ta ruajmë dhe ta rrisim jetëgjatësinë e njerëzve, bashkohuni në betejën solidare të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe bëhuni pjesë e fushatës “Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër”: http://bit.ly/BallkaniiBashkuarALB