Popullsia e ekspozuar ndaj ajrit të ndotur është më pak rezistente ndaj COVID‐19 dhe ndotja e ajrit mund të çojë në përkeqësim të simptomave të koronavirusit, siç tregohet nga hulumtimi i kryer që nga fillimi i
pandemisë.
Prej vitesh, Ballkani Perëndimor
ka qenë një nga rajonet me cilësinë më të keqe të ajrit në Evropë. Qytetet e
tij shpesh kryesojnë listat e qyteteve më të ndotura në botë. Kur cilësia e
dobët e ajrit shoqërohet me pandeminë globale COVID-19, e cila në një masë të
madhe shënoi dy vitet e fundit dhe është ende në vazhdim, kjo rezulton në një
rritje shtesë të sëmundjeve të frymëmarrjes dhe shkallë më të lartë të
vdekshmërisë.
Që nga fillimi i pandemisë globale, janë publikuar kërkime dhe studime që vënë në dukje rritjen e numrit të rasteve dhe vdekjeve me COVID-19 në rajonet me cilësi të ulët të ajrit. Megjithatë, për të përcaktuar qartë se ndotja e ajrit kontribuon në rrezikun e vdekjes nga COVID-19, nevojiten studime epidemiologjike afatgjata që do të merrnin parasysh shumë faktorë dhe kërkime të tilla shkencore janë ende në zhvillim e sipër.
Studimet nga Kina, Anglia, SHBA, Gjermania, Hollanda dhe Italia kanë treguar se ndotja e lartë e ajrit mund të shkaktojë rritjen e numrit të infeksioneve, si dhe nivele më të larta të vdekshmërisë si pasojë e COVID-19[1]. Studimet në Gjermani tregojnë se një rritje e PM10 rrit gjithashtu vdekshmërinë tek pacientët me COVID-19 të moshës mbi 80 vjeç, me 30% tek burrat dhe me 35% tek gratë[2].
Kur krahason këto të dhëna, mund të konkludohet se ndotja e ajrit rrit nivelet e vdekshmërisë të të prekurve me COVID-19 me 15% në nivel global dhe me 19% në Europë[3].
Shkaku kryesor i ndotjes së ajrit janë grimcat (PM), dhe një rritje në përqendrimin e tyre prej 1 mikrogram për metër kub rrit vdekshmërinë nga COVID-19 me 11%. Gjatë pandemisë, 78% e të infektuarve e kishin origjinën nga pesë rajone me shkallën më të lartë të ndotjes së ajrit.
Ndotja e ajrit është faktori më i rëndësishëm që ndikon në ashpërsinë e sëmundjes dhe vdekshmërinë nga COVID-19. Numri i të shtruarve në rritet me gati 100 për qind në rast se përqendrimi i PM 2.5 rritet me 20%.
Grimcat arrijnë në pjesët më të vogla të indit të mushkërive dhe shkaktojnë dëme në enët e gjakut. Normat e larta të ndotjes së ajrit nga plumbi ndihmojnë në përhapjen e COVID-19 në mushkëri, duke shkaktuar inflamacion më të rëndë dhe formimin e mpiksjeve të vogla të gjakut.
Fatkeqësisht, ende nuk ka studime dhe kërkime përkatëse në lidhje me rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjë që na pengon të paraqesim të dhëna konkrete. Mund të supozohet se të dhënat nuk do të ndryshojnë në rastin e këtij rajoni, madje mund të argumentohet se do të ishin më keq. Edhe pa ndikimin e pandemisë COVID-19, ajri i ndotur në rajon shkakton çdo vit më shumë se 30,000 vdekje të parakohshme.
Si të përmirësojmë situatën epidemiologjike dhe të kemi ajër më të pastër në Ballkanin Perëndimor?
Numri i studimeve shkencore mbi lidhjen midis ndotjes së ajrit dhe COVID-19 po rritet çdo ditë. Për të reaguar siç duhet, vendimi i dikujt duhet të bazohet në informacione të vlefshme. Prandaj, është e nevojshme të përgatitet të paktën një, dhe ndoshta disa studime që do të analizonin lidhjen midis ndotjes së ajrit dhe COVID-19 në Ballkanin Perëndimor. Kërkime të tilla duhet të planifikohen dhe kryhen saktësisht, në mënyrë që të mund të bëhen përfundime adekuate dhe masa të propozuara.
Kur jepen rekomandime për masat, duhet gjithashtu të merret parasysh gjendja e sistemeve të kujdesit shëndetësor të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rrjedha e pandemisë ka nxjerrë në pah pasojat e mungesës së shtretërve spitalorë, trendin e migrimit të mjekëve dhe personelit mjekësor, respirator dhe pajisje të tjera të pamjaftueshëm, si dhe një mungesë të përgjithshme në investime. Në një kohë kur ato preken nga pandemia e COVID-19, presioni mbi këto sisteme të brishta të kujdesit shëndetësor shpesh tejkalon nivelet maksimale. Prandaj, është e nevojshme të rritet pjesëmarrja e përfaqësuesve të sektorit të kujdesit shëndetësor në proceset e vendimmarrjes, në mënyrë që të sigurohet integrimi në kohë i masave të kujdesit shëndetësor në politikat që kanë si qëllim mbrojtjen e mjedisit.
Qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të reagojnë dhe të përmirësojnë efikasitetin në zbatimin e ligjeve dhe vendimeve në fushën e mbrojtjes së mjedisit në mënyrë që të kenë përfitime më të mëdha në kujdesin shëndetësor dhe atë ekonomik për të gjithë qytetarët. Vetëm termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor, shkaktojnë dëme ekonomike në formën e kostove të kujdesit shëndetësor të vlerësuara në 1.9-3.6 miliardë Euro, që paguhen nga qytetarët e rajonit çdo vit.
COVID-19 pas disa kohësh do të jetë një gjë e së kaluarës, por ndotja e ajrit nuk duhet të mbetet pjesë e “normalitetit” të deritanishëm. Një reagim në kohë nënkupton që masat për të përmirësuar cilësinë e ajrit të futen në politikat publike dhe tek planet e ndihmës për COVID-19 në përputhje me angazhimet e përfshira në Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e cila u pranua nga të gjitha shtetet.
Ne duhet të zhvillojmë politika rajonale
multisektoriale që do të nënkuptojnë përmirësimin e mjedisit dhe shëndetit
publik, sepse probleme të tilla kërkojnë një zgjidhje të përbashkët rajonale.
[1] Isphording, Ingo E. and Pestel, Nico, Pandemic Meets Pollution: Poor Air Quality Increases Deaths by COVID -19 (2020). CESifo Ëorking Paper No. 8495, Available at: SSRN: https://ssrn.com/abstract=3680352
[2] Pozzer A,Dominici F,Haines A,Witt C,Munzel T.Lelieveld J, Regional and global contributions of air pollution to risk of death from COVID-19, Cardiovascular Research(2020),116:2247-2253, Available at: https://academic.oup.com/cardiovascres/article/116/14/2247/5940460
[3] Bhandary N., Air pollution a co-factor in COVID-19 mortality