Skill2Sustain Workshop in Albania

Si pjesë e aktiviteteve të projektit Erasmus+ “Boosting Digital and Green Skills for Resilient and Sustainable Western Balkan Society”, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit i Universitetit Politeknik të Tiranës, në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës dhe ETMI, organizon një workshop me grupet e interesit, të dedikuar përfaqësuesve të sektorit publik, akademik, industrisë dhe aktorëve të tjerë të interesuar në fushën e inxhinierisë së mjedisit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe transformimit të gjelbër e digjital.
Workshop-i do të zhvillohet të premten, më 26 qershor 2026, duke filluar në orën 11:00, në Universitetin Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Salla “REC” B209, Rruga Muhamet Gjollesha, 1023, Tiranë, Shqipëri.
Qëllimi i workshop-it është të nxisë shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe ideve ndërmjet universitetit, industrisë dhe sektorit publik, si dhe të forcojë bashkëpunimin në adresimin e sfidave aktuale që lidhen me ndryshimet klimatike, zhvillimin e aftësive të gjelbra, transformimin digjital dhe praktikat e qëndrueshme. Gjatë aktivitetit do të prezantohen gjithashtu rezultatet dhe mundësitë e krijuara në kuadër të projektit, përfshirë programet e formimit të vazhduar, Qendrat e Kërkimit dhe Edukimit, rrjetin e bashkëpunimit dhe platformën OneFuture / Skill2Sustain.
Të gjithë përfaqësuesit e interesuar të sektorit publik, industrisë, institucioneve, komunitetit profesional dhe akademik ftohen të marrin pjesë aktivisht në workshop-in “Workshop për krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik, akademik dhe industrisë”, i cili përfaqëson një mundësi për shkëmbimin e eksperiencave, krijimin e formave të reja të bashkëpunimit dhe forcimin e kompetencave në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, transformimit të gjelbër dhe digjital.
